
TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë më reagim zyrtar lidhur me helmimin e fëmijëve në një kopësht në Gramsh. AKU njofton se pas verifikimeve zyrtare lidhur me vezët e kontaminuara me salmonelë, mostrat e marra në subjektin prodhues dhe furnizues kanë rezultuar negative për praninë e këtij bakteri.
Sipas njoftimit të mëposhtëm, nga informacionet e marraderi tani mendohet se kontaminimi i vezëve me salmonelë ka ndodhur në ambientet e kopshtit në Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).
AKU bën po ashtu me dije se deri në këto momente, nuk ka pasur raste të tjera të ngjashme në subjekte të tjera ushqimore, dhe se komunikimi ndër-institucional po vijon për monitorimin e situatës.
NJOFTIMI I PLOTË I AKU:
Në lidhje me situatën e ndodhur në Kopshtin Nr. 1, në qytetin e Gramshit sqarojmë opinionin publik se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin VEZË konfirmon:
- Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Gjithashtu nga komunikimi me Shërbimin Veterinar Rajonal pranë AKU është bërë e ditur se ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm).
- Mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.
- Mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp.
Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve ne Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).
Vlen të theksohet se nga komunikimi me njësitë e NjKVSh nuk kemi pasur raste të tjerë problematikë me Salmonelë spp, për të cilët jemi në komunikim të vazhdueshëm ndër-institucional.
Nga ana tjetër, postime të shpërndara në rrjete të caktuara sociale, të ndryshme nga ky njoftim zyrtar i AKU, nuk janë te sakta dhe në vetvete përbëjnë dezinformim publik
Kjo për arsye se komentet mbi ngjarjen dhe rezultatet e analizave në fjalë nuk mund të ndalen vetëm në komentimin e analizave të mostrave te Kopshtit Nr. 1 Gramsh, subjekt i ngjarjes.
Në zbatim të Ligjit Nr. 9863 “Per Ushqimin” (i ndryshuar), VKM 760, datë 16.09.2015 “Për Kërkesat Për Gjurmimin dhe Ushqimit Për Kafshë Përgjatë Zinxhirit Ushqimor” saktëson proceset e gjurmueshmërisë për rastet kur produkti ushqimor rezulton i dëmshëm.
Kushdo që ndjen nevojën e komenteve në raste të tilla duhet të jetë në pritje për sa kohë procesi i gjurmueshmërise dhe analizat respektive nuk kanë dalë për të gjitha hallkat e procesit të gjurmueshmërisë, i cili kalon nga subjekti i ngjarjes, tek furnizuesi dhe deri tek prodhuesi.
Duhet mbajtur parasysh se në të ardhmen kushdo që do të bëjë deklarata të papërgjegjshme apo të pasakta mund të jetë objekt i një procedimi penal.
Analizat e konfirmuara sipas ketij informimi publik te AKU në lidhje me rezultatet negative për Salmonelë spp tek subjekti prodhues dhe tek subjekti furnizues, nxjerrin në pah pasaktësinë e postimeve të caktuara në rrjete sociale.
Në zbatim të detyrimit ligjor, me angazhimin e vet të drejtpërdrejtë dhe në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, AKU do të mbetet në komunikim të vazhdueshëm në vijim.
Helmimi i fëmijëve të kopshtit ka ndodhur më 20 Maj dhe ngjarja u mbajt e fshehur nga institucionet. Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua një javë më parë kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime tek mjekët të cilët kërkuan analiza të mëtejshme. ISHP kreu analizat për 79 persona të këtij kopshti, ku 17 prej tyre rezultuan pozitiv me virusin e rrezikshëm, 16 fëmijë dhe psikologia e kopshtit.