 
TIRANA- Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet që gjatë ditës së sotme të lërë për disa orë qelinë për t’u paraqitur personalisht në Gjykatën Kushtetuese. Seanca e parashikuar ka në fokus shqyrtimin e ankimit të tij kundër vendimit për shkarkim nga detyra, si edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.
Ndërkohë, punonjësit e Gjykatës Kushtetuese janë parë duke bërë parapërgatitjet për zhvillimin e seancës. Në një video të publikuar, ata shfaqen teksa testojnë mikrofonat dhe kamerat në sallë, mes batutash dhe të qeshurash, për t’u siguruar që gjithçka të jetë gati për procesin e sotëm.
Mësohet se gjatë seancës nuk do të lejohen kamerat e televizioneve brenda sallës, ndërsa pamjet do të transmetohen nga vetë Gjykata Kushtetuese përmes regjistrimeve zyrtare.
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj disa ditë, pas urdhërit nga Kryeministri Rama. Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Ndërkohë që Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore.
Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për shkarkimin e tij nga tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Në kërkesën e depozituar nga avokatët e tij mbrojtës më Gjykatë Kushtetuese, theksohet se shkarkimi i tij është i paligjshëm dhe antikushtetues. Në kërksën e Veliajt janë renditur 15 argumente të ndryshme që kundërshtojnë shkarkimin e tij nga detyra. Sipas Veliajt, neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të. Në këtë nen thuhet se çdo shkarkim pa një shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
 
			                                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                    
					                   