TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi opozitën se gjatë procesit të negociatave është përpjekur të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përmendur protestat dhe incidentet me molotovë në Tiranë. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shprehet se ka vetëm një gjë që e ndal Shqipërinë europiane dhe sipas tij ajo është qeverisja e kryeministrit Rama.
Demokrati thekson gjithashtu, se BE për mbylljen e negociatave për Grupkapitullin e Themeloreve, i ka vendosur Shqipërisë 34 kushte, të cilat lidhen me çështje të korrupsionit, zgjedhjeve dhe funksionimit të institucioneve. Ai thekson, se BE ka shprehur shqetësime për vendime të Parlamentit lidhur me imunitetin dhe rastet e korrupsionit, duke shtuar se korrupsioni është cilësuar si “shqetësim vendimtar” në procesin e integrimit.
Ka vetëm një gjë që e ndal Shqipërinë europiane. Quhet Edi Rama. Për të mbyllur negociatat e anëtarësimit vetëm për Grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i vendosi Shqipërisë 34 kushte të rënda. Sepse Edi Rama mbrojti me votë në Parlament korrupsionin dhe i siguroi Belinda Ballukut imunitet nga arrestimi i SPAK-ut. Në 34 kushtet për Shqipërinë, Bashkimi Europian shpreh zyrtarisht keqardhje për vendimin e Parlamentit në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit të zbatojë standardet europiane për imunitetin.
Me një gjuhë të papërdorur më parë për Shqipërinë, BE-ja e quan korrupsionin “shqetësim vendimtar”, duke e rënduar pozicionin negociues të Shqipërisë. Për herë të parë në një raport zyrtar publik, BE-ja identifikon sektorin e ndërtimit si kanal pastrimi parash përmes “transaksioneve jofinanciare” dhe e lidh këtë drejtpërdrejt me korrupsionin. Për herë të parë në një dokument zyrtar negociues, BE-ja identifikon si problem për zgjedhjet rrjetet e patronazhimit: sistemin me të cilin PS kontrollon votën përmes administratës shtetërore.
Për herë të parë, BE-ja kërkon zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it si kusht zyrtar për mbylljen e negociatave. Sepse zgjedhjet e Edi Ramës nuk kanë qenë kurrë të tilla. BE-ja kërkon “mbikëqyrje efektive dhe të papenguar parlamentare, përfshirë komisionet hetimore”; një të drejtë që Rama ia ka mohuar sistematikisht opozitës. BE-ja kërkon edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që Rama i ka injoruar, vonuar ose nuk i ka zbatuar fare. Grupkapitulli i Themeloreve hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Por pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria nuk i mbyll dot negociatat.